Si do të bëhet kompensimi i fermerëve për TVSH, tatimet sqarojnë procedurën dhe afatet
Tatimet sqarojnë se si fermerët përfitojnë 10 për qind kompensim të TVSH-së përmes autofaturimit.
Fermerët do të përfitojnë kompensim të TVSH-së në masën 10 për qind për blerjen e imputeve bujqësore, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar procedurën dhe afatet për përfitimin e këtij kompensimi përmes skemës së autofaturimit. Sipas sqarimeve zyrtare, blerësi i regjistruar për TVSH-në, i cili vepron si grumbullues, përpunues ose agroturizëm i certifikuar, lëshon faturë tatimore, autofaturë, në emër të prodhuesit bujqësor për mallrat ose shërbimet e blera.
Vlera e kësaj fature përdoret për llogaritjen e kompensimit dhe në të duhet të pasqyrohet NIPT-i i prodhuesit bujqësor si dhe të gjithë elementët e tjerë të faturës tatimore, në përputhje me kërkesat e legjislacionit tatimor në fuqi.
Kushtet për përfitimin e kompensimit
Që fermerët të përfitojnë nga skema e kompensimit, qarkullimi i tyre vjetor nuk duhet të tejkalojë kufirin minimal të regjistrimit për TVSH. Produktet ose shërbimet për të cilat kërkohet kompensimi duhet të jenë rezultat i drejtpërdrejtë i veprimtarisë bujqësore të fermerit dhe të shiten tek persona të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompensimit. Gjithashtu, fermerët duhet të jenë të pajisur me numër identifikimi NIPT nga administrata tatimore, pa pasur detyrim periodik për deklarimin e TVSH-së.
Norma e kompensimit është 10 për qind e vlerës totale të produkteve ose shërbimeve të furnizuara nga prodhuesi bujqësor, të dokumentuara me fatura tatimore, dhe llogaritet për një periudhë gjashtëmujore.
Paraqitja e kërkesës dhe afatet
Fermeri duhet të dorëzojë kërkesën për kompensim pranë administratës tatimore, elektronikisht ose përmes shërbimit postar, duke bashkëlidhur kopjet e faturave të lëshuara nga blerësi i mallrave ose shërbimeve bujqësore, si dhe numrin e llogarisë bankare ku do të kryhet pagesa e kompensimit.
Kërkesa për kompensim paraqitet me bazë gjashtëmujore. Për furnizimet e kryera nga janari deri në qershor të vitit 2026, afati i paraqitjes së kërkesës është deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa për furnizimet e kryera nga korriku deri në dhjetor 2026, kërkesa duhet të paraqitet deri më 30 qershor 2027. Administrata tatimore kryen kompensimin brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nga fermeri.